Krizë çmimesh në horizont! Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë shtrenjtimit të jetesës do të vijojë të rritet, së paku deri në vitin 2028. Është ky parashikimi i Bankës së Shqipërisë, në një kohë që qeveria premton t’i bëjë më të lira ushqimet bazë të konsumit.
“Rritja e inflacionit është shkaktuar kryesisht nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve energjetike dhe atyre të para në tregjet ndërkombëtare. Presim që ky presion të jetë gradual dhe që inflacioni të kthehet në objektivin prej 3% në vitin 2028”, u shpreh Rajna Hoxholli, Zëvendësdrejtore e Departamentit të Politikës Monetare.
Për herë të parë në dekadat e fundit, Banka Qendrore vlerëson protestat si shkak i “një vale më të fortë të inflacionit dhe tkurrje e konsumit.” Me skepticizëm shihen edhe ndryshimet fiskale të propozuar nga qeveria.
“Tensionet sociale mund të shoqërohen me rritje të pasigurisë, e cila mund të ndikojë në frenimin e konsumit dhe të aktivitetit turistik.. Ndërkohë ndikimi paketës fiskale te inflacioni mbetet për tu vlerësuar”, theksoi Hoxholli.
Ndërkohë që nuk mungojë rreziqet, edhe më të shtuara si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme që vijojnë.
“Tensionet në tregjet ndërkombëtare dhe zhvillimet e pafavorshme ekonomike mund të shoqërohen me rritje të pasigurisë. Kjo mund të ndikojë në vendimmarrjen e bizneseve dhe konsumatorëve, si dhe në pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë dhe të çmimeve në periudhën e ardhshme”, tha Rajna Hoxholli.
Për muajin e shkuar, INSTAT raportoi se inflacioni kërceu në 3.4 për qind nga 2.9 për qind në shtator... niveli më i lartë që prej janarit të vitit 2024. (A2 Televizion)