
Fëmijët e paraqitur në urgjencë mbrëmjen e së premtes me simtoma helmimi ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Detajet për gjendjen e tyre i ka dhënë Drejtoresha e Spitalit Rajonal Vlorë, Bruna Mersini në një prononcim për mediat.
Siç bëri të ditur zonja Mersini, bëhet fjalë për një grup turistësh nga Polonia të cilët e kishin nisur udhëtimin mëngjesin e kësaj të premteje nga Shkodra.
Nga 50 që ishin në autobus, rreth 20 prej tyre të moshës 14-15 vjeç kanë paraqitur simptoma. Mes tyre ka dhe fëmijë më të vegjël që po marrin kujdes shëndetësor në repartin e pediatrisë.
Sa i përket shkakut, mjekët dyshojnë se mund të jetë bërë ushqimi që kanë konsumuar ose orët e shumta të kaluara në diell.
Po ashtu ka folu për media shefi i Epidemiologjisë në Spitalin e Vlorës, Agron Bashllari, duke u shprehur se është herët për të arritur në konkluzione pë arsyet e helmimit.
“Është një situatë që po e ndjekim. Nuk mund të kemi asnjë konkluzion akoma, është shumë shpejt. Në qytet nuk është konsumuar, është konsumuar në udhëtim. Është shpejt për të nxjerrë konkluzione”, tha Bashllari.
Ndërkohë, drejtor i AKU-së Ani Binaj ka mbërritur me urgjencë në spitalin e Vlorës dhe në një prononcim të shkurtër për mediat tha se po kontrollohen të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve.
"Nuk jemi ne që pyesim, pyesin autoritetet, ne po ndjekim gjërmueshmërinë në punën tonë. Unë erdha me urgjencë për t’u marrë me këtë situatë. Jemi duke koordinuar me autoritetet këtu për të menaxhuar situatën. Kur të kemi të dhëna do bëjmë njoftim", u shpreh Binaj.
Po ashtu, AKU i bën thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit.
Shkaku i saktë i helmimit të turistëve të vegjël do të dihet pas kryerjes së hetimit epidemiologjik për rastin. (A2 Televizion)