
Ndryshe nga viti i shkuar, 2023-shi pritet të jetë i lagësht. Parashikimin optimist e njoftoi ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku në konferencën përmbledhëse të ecurisë së deritanishme dhe pritshmërive të sektorëve që përmbledh portofoli.
“Më duhet ta deklaroj këtë. Vetëm nëse parashikimet tona janë kaq të gabuara, që unë nuk besoj se janë të tilla, por duke u bazuar edhe të pritshmëritë financiare unë besoj se nuk ka vend për aplikim të fashave në konsumin e energjisë elektrike”, i shpreh ministrja Balluku.
Pritshmëritë i konfirmoi edhe administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ergys Verdho, bazuar në rezervën energjetike të këtij fillim-viti. “Viti 2023 na gjen me një rezervë energjetike të lartë, 1200 GW nga rreth 800 që ishte në nisje të vit të shkuar”, tha Verdho.
Ndërkohë një nismë e re e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë do të synojë që nisur nga ky vit, të mundësojë vendosjen e matësave inteligjentë në kabinat elektrike, proces që do të shtrihet më pas tek të gjithë qytetarët dhe bizneset. “Më në fund do të kemi një mundësi reale ku të gjithë abonentët të kontrollojnë në kohë reale nga telefoni apo tableti gjithë konsumin e tyre të energjisë elektrike”, shtoi kreu i OSSHE, Bledian Dalipi.
Nga ky vit i ri nis edhe procesi i shumëpritur i gazifikimit të vendit, i cili do të nisë nga qyteti i Korçës. “Pse u zgjodh Korça. Do e nisim me Korçën, Fieri do të jetë i dyti. Korça është me temperatura më të ulëta ndaj e nisëm me Korçën. Paguajnë më mirë nga të gjithë faturat. Për t’i dhënë eficencë këtij projekti. Fieri është i dyti qytet”, shpjegoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dha edhe detajet se si do të shpërndahen të ardhurat nga e ashtuquajtura “taksa e jashtëzakonshme” mbi prodhuesit e energjisë. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke përgatitur një tjetër paketë sociale. Nga ajo do të përfitojnë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, do të përfshihen nënat e shumë fëmijë”, theksoi ministrja.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi gjithashtu se nisur nga stabilizimi i çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, të dyja bordet e transparencës mund të shfuqizohen së afërmi. (A2 Televizion)