
Marcelo Bielsa, trajneri i Uruguait, ka publikuar listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit kundër Kilit dhe Ekuadorit, ku bie në sy mungesa e dy sulmuesve kryesorë të kësaj përfaqësueseje në 10 vitet e fundit: Luis Suárez (Grêmio) dhe Edinson Cavani (Boca).
Futbollistët veteranë, të dy nga 36 vjeç, nuk e kanë mbyllur ende me Uruguain, por kjo listë tregon se është trajneri ai që i ka dhënë fund aventurës së tyre.
“Kur nisa punën, Cavani dhe Suarez më thanë se koha e tyre me përfaqësuesen nuk kishte përfunduar. Që nga ai moment, për mua janë lojtarë që mund të grumbullohen kurdo. Por, një gjë është fakti që janë disponibël për Uruguain dhe diçka krejt tjetër që të jenë në planet e mia”, tha Bielsa. (A2 Televizion)