Incident i rëndë gjatë botërorit FIBA 2023, basketbollisti serb heq veshkën pas goditjes me bërryl nga kundërshtari

Nga A2 CNN
5 Shtator 2023, 12:16 | Futboll
Incident i rëndë gjatë botërorit FIBA 2023, basketbollisti

Një incident i rëndë është regjistruar gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Sudani të Jugut në kuadër të Kupës së Botës FIBA 2023, ku pas një dyluftimi mes basketbollistit Borisa Simaniç me një kundërshtar, ky i fundit e ka goditur serbin me bërryl, duke e lënë të dëmtuar rëndë.

Fillimisht u pa thjesht si një lëndim i lehtë, por mesa duket nuk kishte qenë aspak i tillë, pasi sikurse raportojnë mediat e huaja, serbi kishte shfaqur shqetësime si pasojë e dhimbjeve të mëdha dhe ishte dërguar në spital, ku edhe zbuluan më të keqen.

Basketbollisti serb iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi mjekët e panë të arsyeshme që t’i hiqnin njërën nga veshkat, falë së cilës u arrit që gjendja e tij shëndetësore të stabilizohej.

Lajmin e bëri të ditur vetë Federata serbe e Basketbollit, sipas së cilës, lojtari 25-vjeçar u operua për herë të dytë fundjavën e kaluar, për shkak të komplikimeve që i vazhduan edhe pas trajtimit të dhënë pas ndërhyrjes së parë.

Lojtari i Sudanit të Jugut, Nuni Omot, i cili goditi Simaniç gjatë dyluftimit për topin e parë mes tyre, i kërkoi falje kundërshtarit të tij dhe tha:

“Si atlet, jam shumë keq kur e kuptova seriozitetin e situatës. Nuk ishte një lëvizje e qëllimshme. Asnjë lojtar nuk dëshiron ta përjetojë një gjë të tillë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos