Arrestohet në Rinas avokati që pagoi 120 mijë euro Nuredin Dumanin për të vrarë ish-gruan

Nga A2 CNN
6 Shtator 2023, 13:29 | Kronikë
Arrestohet në Rinas avokati që pagoi 120 mijë euro Nuredin

Alban Bengasi, dikur një avokat, por që ishte i përfshirë në botën e krimit, është vënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit “Golden Bullet” (Plumbi i Artë). Burime për A2 CNN, bëjnë me dije se Bengasi është vetëdorëzuar dje në zyrën e Interpol në Dubai dhe sot ka mbërritur në Rinas, ku i janë vënë prangat.

Një javë më parë Bengasi i bëri një kërkesë SPAK për heqjen e kërkimit ndërkombëtarë që e lejonte atë të kthehej nga Dubai në Shqipëri, kërkesë kjo që iu pranua.

“Duke qenë se shtetasi Alban Bengasi është rezident në shtetin e Dubait prej datës 07.06.2022 dhe i pajisur me ID Number 784-1973-2683597-8 nga ky shtet, ky shtetas kërkon të vetëdorëzohet pranë autoriteteve shqiptare për tu vënë në dispozicion të Institucioneve të Drejtësisë si SPAK dhe GJKKO për tu përballur me procedurat hetimore dhe gjyqësore në ngarkimin e tij për çfarë ai dyshohet.

Për këtë vetëdorëzim kemi njoftuar edhe Ambasadën Shqiptare ne Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por për t’u bërë e mundur ardhja e tij nga shteti i Dubait për në shtetin shqiptar kërkojmë nga ana juaj të pezulloni kërkimin ndërkombëtar për këtë shtetas vetëm për qëllim që ai të mund të udhëtojë nga Dubai për në Shqipëri, në ditën dhe orët që do të vendosni ju.

E bëjmë këtë kërkesë pasi midis shtetit Shqiptar dhe atij të Dubait nuk ka marrëveshje ekstradimi midis këtyre dy vendeve. Kërkojë që kjo kërkesë te trajtohet në mënyrë sa më të shpejtë nga ana juaj duke komunikuar me Interpol Tirana për farë ne kërkuam më sipër duke bërë anulimin e kërkimit ndërkombëtar të përkohshëm për këtë shtetas për qëllimin e vetëdorëzimit dhe transportit nga Dubai për në Shqipëri të personit nën hetim Alban Bengasi. Ju faleminderit”, shkruhet në kërkesë.

Emri i tij u përmend nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani. Ai ka zbuluar se avokati Bengasi e kishte paguar 120 mijë euro për të vrarë ish-bashkëshorten e tij. Kjo pasi Bengasi donte të hakmerrej sepse dyshonte se e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.

Dumani në dëshminë e tij fillimisht ka treguar se Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta. Mirëpo, ai refuzoi pasi nuk i pëlqente të rrihte gra, prandaj këtë porosi ua kaloi Eljo Bitrit dhe një djali tjetër për të cilin thotë se nuk i kujtohet kush ishte.

Pasi e kishin ndjekur për ditë me radhë Blerta Bengasi (Ruçin), Eljo Bitri e e ka qëlluar atë me grushte në fytyrë deri sa i ka dalë gjak. Pas kryerjes së porosisë, Dumani takon avokatin për t’i marrë paratë, por ky i fundit ishte i pakënaqur pasi ajo nuk kishte thyer as krah dhe as këmbë dhe prandaj i kishte kërkuar që ta vriste.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,  ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar. 

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos