Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kishte radhën për t’u mbrojtur sot para gjykatës në çështjen e inceneratorit të Fierit. Përmes avokatit, Lefter Koka pretendoi se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.
Ndërkohë, gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, ka zbardhur qëndrimin e Lefter Kokës në gjykatë, ku ai u shpreh se akuza ndaj tij bazohet në “mendime personale të fallxhores, jo në prova”.
“Pagesat dhe ndërtimi Inceneratorit kanë filluar në 2018 unë jam larguar si Ministër më 2017.
Shpronësimi i tokës është njohur i ligjshëm me Vendim të Formës së Prerë të Gjykatës Administrative. Statusi i është ndryshuar nga Këshilli Bashkiak Fier para se vendimi të vinte në Këshillin e Ministrave.
Gjykohem dy herë për të njëjtën gjë. Akuza është thjeshtë kopje e procesit analog të Elbasanit.
Relacioni administratorit të caktuar nga gjykata provon pafajësinë time.
Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova. Kriter themelor i procesit penal.
Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit.
Kjo çështje kërkon drejtësi! Drejtësia është vetëm një e pa ndikuar në interesa, e pa ndikuar nga akuza e pa ndikuar nga opinioni. Përndryshe unë do të jem viktima e radhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo.
Kjo strukturë nuk është kala ku ju të bërë bashkë duhet ta mbroni, por është kala e çdo Shqiptari për të marrë Drejtësi.
Nuk do të rresht së kërkuari deri në frymën e fundit, jo vetëm në këtë gjykatë të provojë pafajësinë time. Me prova e fakte të provoj fajësinë e atyre që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas duke sajuar prova të turpshme.
Meqenëse nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare, asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000.
Që nga viti 2003, kur mora edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Durrës, kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe pronat që disponoj janë fryt i punës time të ndershme dhe jo i ryshfeteve, as i trafiqeve, as i prostitucionit e as i të qenit aksioner anonim në shoqëri ndërtimi, e për të atillë më njeh Durrësi qyteti im e më gjerë.
Do ngushëllohesha në izolim në qoftë se kallëzimin do e kishte bërë çdokush tjetër shqiptar, por të bëhet nga ai çift famëkeq është e trishtë, e të besosh te ata është si të investosh tek Sudja e Rrapushi në ditët e fundit të falimentit. Ndaj, dua sot para jush të kërkoj drejtësi dhe drejtësia është vetëm një, e pa ndikuar nga interesa, e pa ndikuar nga akuza, e pa ndikuar nga opinioni pasi përndryshe një drejtësi e tillë rrit pasigurinë, humbet besimin e opinionit e unë do të jem viktima e radhës duke mos harruar se ajo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo”. (A2 Televizion)
