I izoluari në qeli prej 12 majit i është drejtuar gjykatës së lartë me dy rekurse, pranimi i të cilëve do t’i mundësonte lirinë dhe betimin si kryebashkiak.
Në një prej tyre, Beleri kërkon vlerësimin të paligjshëm të arrestit të tij në flagrance dhe prishjen e vendimi të Gjykatës së Vlorës përcaktimin e masës së parë “arrest në burg” ndaj tij.
Në rekursin tjetër kryebashkiaku i zgjedhur kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar me persona të tjerë, të paraqitura si prova në dosje.
Në hetimin e nisur nga Prokuroria e Vlorës e më pas i kaluar për kompetencë në SPAK, Beleri akuzohet për “korrupsion në zgjedhje”. Ai akuzohet t’i ketë ofruar personit të infiltruar nga 50 euro për çdo person që do ta votonte në zgjedhje, si edhe një shpërblim prej 300 euro për të.
Për rrjedhojë ai nuk mund të betohet si kryebashkiak dhe rrezikon të humbasë mandatin e fituar në 14 maj. Kjo ka sjellë reagime të ashpra mes Athinës zyrtare dhe Shqipërisë. Partitë Popullore Europiane miratuan rezolutën që kërkon lirimin e Belerit, vendim ky që solli edhe reagimin e kreut të qeverisë, Edi Rama. Ky i fundit, tha se kjo çështje i përket vetëm drejtësisë shqiptare. (A2 Televizion)
