Osmani: Nuk kemi parë qasje të barabartë për dialogun nga aleatët, kyç për suksesin e procesit

Nga A2 CNN
7 Shtator 2023, 13:55 | Kosova
Osmani: Nuk kemi parë qasje të barabartë për dialogun nga

Presidentja Vjosa Osmani ka qenë e qartë në qëndrimin e saj për aleatët, në procesin e dialogut me Serbinë.

Në konferencën e përbashkët për mediat, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Osmani tha se aleatët nuk kanë siguruar një qasje të barabartë për Kosovën dhe Serbinë. Prandaj, ajo tha se sigurimi i kësaj balance në procesin e dialogut, është kyç për rezultatin final.

“Takimi i radhës do të ndodh më 14 shtator. Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të paimplementuara nga Serbia është shumë e gjatë. Shpresat tona janë tani që do të ketë një qasje të barabartë. Një qasje e barabartë nga BE është parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur kohë që s’e kemi parë këtë balancë, prandaj iu bëj thirrje aleatëve që të sigurojnë këtë balancë, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme që kontribuojnë në stabilitetin e regjionit”, ka thënë presidentja Osmani.

Nga ana tjetër, Stoltenberg shtoi se është shumë e rëndësishme që të shmanget çdo lloj përkeqësim të situatës në veri të Kosovës.

“Është esenciale të shmanget çdo lloj eskalimi i mëtejmë dhe inkurajojmë të dyja palët që të veprojnë në përmbajtje dhe në përputhje me zotimet e tyre”, tha ai.

Në 14 shtator pritet të jetë takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos