
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Floridën në Shtetet e Bashkuara, ku një i ri ukrainas akuzohet se ka vrarë prindërit e tij adoptues, të cilët e morën nga një jetimore shtatë vite më parë në vendin e tij.
Sipas mediave të huaja, policia në North Falk të Floridës, mori një telefonatë në mesnatën e së premtes së kaluar nga një fqinj i çiftit që kishte dëgjuar britmat e një gruaje për ndihmë. Menjëherë, ekipet e sigurisë shkuan në vendin e ngjarjes, ku edhe zbuluan krimin e rëndë.
Fqinjët, të cilët arritën të hapin derën më forcë, gjetën vetëm disa pika gjaku në tokë dhe njoftuan autoritetet. Pasi mbërritën në shtëpinë e çiftit, oficerët e policisë panë të dyshuarin duke mbyllur bagazhin e makinës së tij të blerë nga prindërit dhe e urdhëruan atë të qëndronte pa lëvizur.
Ai i shpërfilli udhëzimet e tyre, hipi në makinë dhe u largua me shpejtësi. Pasi arriti t’i shpëtonte policisë, ai braktisi mjetin dhe u fsheh në një pyll, derisa autoritetet e zbuluan rreth orës 8 të mëngjesit të së shtunës.
Robbie dhe Jennifer Tower u gjetën të vdekur në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa trupat e tyre ishin pozicionuar në mënyrë që kokat e tyre të prekeshin.
Dima Tower, i cili kishte humbur nënën e tij kur ishte i vogël dhe ishte braktisur nga babai i tij alkoolik, ishte adoptuar në moshën 14-vjeçare nga çifti amerikan, të cilët e kishin të pamundur të bënin fëmijë. (A2 Televizion)