
Shqipëria U21 e nis me “këmbën e mbarë” fushatën eliminatore të Euro 2025, duke triumfuar në transfertë ndaj Armenisë me shifrat 1-2.
Shpresat e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë me dy gola. I pari që shënoi ishte Stiven Shpendi në minutën e 28. Nëntë minuta më pas, Shqipëria gjeti sërish rrugën e rrjetës. Këtë herë me anë të Arlind Rexhepit, i cili përfitoi mjaft mirë në zonën kundërshtare dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në cepin e portës. 0-2 dhe në fraksionin e dytë të besuarit e Bushit kujdesen për të menaxhuar avantazhin.
Gjithsesi, vendasit nuk u dorëzuan lehtë dhe shkurtuan diferencat në minutën e 86 me anë të Tarakhchyan, i cili edhe pse nga një kënd i vështirë arriti të mposhtte portierin Simoni.
Kështu, Shqipëria U21 merr tre pikë të arta në një grup ku bën pjesë edhe Finlanda, Rumania, Mali i Zi dhe Zvicra. Ndeshja e radhës për kuqezinjtë është ajo ndaj Rumanisë, në shtëpi, më datë 12 shtator. (A2 Televizion)