Berisha hap fushatën në Kukës: Opozitarët janë përçmuar nën qeverisjen e Ramës

Nga A2 CNN
11 Shtator 2023, 17:01 | Politikë
Berisha hap fushatën në Kukës: Opozitarët janë

Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë e Kukësit, ku prezantoi dhe kandidatin Emri Vata.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve falënderoi të gjithë opozitarët e regjimit të Edi Ramës, të cilët sipas tij në këto 10 vite qeverisje të socialistëve kanë qenë më të përçmuarit.

“Opozitare dhe opozitarët në këto 10 vite u përballën me një platformë të egër të dhunimit, terrorit psikologjik, ekonomik të gjithëanshëm ndaj tyre. Demokratet dhe demokratët, opozitarët dhe opozitare e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë, u përçmuan këto 10 vite më shumë se kurrë në 30 vitet e fundit. U përzunë nga vendi i tyre, u pushuan nga puna, ju mbyllën bizneset, ju hoq ndihma ekonomike, u detyruan të përcjellin fëmijët në dhera të tjerë, u trajtuan si armiq.

Në këtë kontekst mund të ju them se sot në një kohë kur në botë të drejtat dhe liritë e njeriut kanë marrë një dimension që nuk e kanë pasur ndonjëherë, as armiqtë e jashtëm nuk mund të silleshin më egër se sa sekti i rilindjes ndaj popullit opozitar.

Opozitaret dhe opozitarët gjithashtu u përballën këto 10 vite me një dhimbje të madhe për vendin e tyre, sepse Shqipëria nga Atdhe, nga një tokë e bekuar nga Zoti, u shndërrua në një vend të cilin 83% e shqiptarëve duan ta braktisin. Pamje  e rëndë, pamja e dhimbshme që përjeton fëmija, kur sheh nënën e vet që keqtrajtohet”, tha mes të tjerash Berisha në Kukës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos