Shkarkimi i Damian Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS, pasi u bë publik që emri i tij përmendej në dosjen e SPAK-ut për inceneratorët, mesa duket nuk do t’i kushtojë socialistit vendin si bashkëkryetar në Komisionin e e Reformës Zgjedhore.
Konfirmimi erdhi nga Bledi Çuci në konferencën e parë për shtyp që kur ka marrë drejtimin e grupit parlamentar socialist.
Prioriteti socialistëve për këtë sezon të ri politik ka të bëjë pikërisht me rregullimet e sistemit aktual zgjedhor, për të gjetur formulën për herësin në listat e hapura të deputetëve si dhe për t’u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve jashtë vendit.
“Ne të zgjidhim fillimisht ngërçin që është krijuar nga Gjykata Kushtetuese dhe së dyti votën e emigrantëve. Ftoj këdo që do të jetë kryetar grupi i çdo force opozita ta shohë këtë çështje si të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vota e emigrantëve duhet të përcaktohet me ligj. Ne kemi një draft gati”, tha Çuçi.
Tani që Rama e largoi nga kabineti qeveritar, edhe partia është gati që të mos e mbrojë më me procedura parlamentare Olta Xhaçkën. Kërkesa e Kushtetueses drejtuar Kuvendit që mandati i deputetes duhet çuar në këtë Gjykatë, duket se do të marrë aprovimin.
“Ne do të zbatojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm këtë”.
I paqartë duket Çuçi kur vjen çështja se kë njeh për kryetar grupi të PD, Gazmend Bardhin apo Lulzim Bashën.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, pas konsultimit me zyrën juridik, pritet të zgjidhë dilemën e socialistëve se kë do të njohë Kuvendi si kryetar grupi parlamentar të PD. (A2 Televizion)
