
Goli i Leandro Trossard i dha Arsenalit fitoren minimale ndaj Evertonit, në transfertë. Skuadra e Mikel Artetës siguroi suksesin 1-0 në Liverpul, duke u ngjitur sërish në vendin e dytë, me 13 pikë, po aq sa Tottenham dhe Liverpool.
Nënkampionët e Premier League gjetën rrjetën në pjesën e parë me anë të Gabriel Martinellit, por goli i brazilianit u anulua nga VAR për pozicion të parregullt.
Rastet e pastra munguan në këtë sfidë, por Arsenali ia doli të gjente golin e fitores në minutën e 69’, me anë të belgut Trossard, i cili shënoi me të majtën nga brenda zonës. (A2 Televizion)