Berisha: Udhëtimi për në OKB, më i kushtueshmi! Rama refuzoi Begajn që të udhëtonin me të njëjtin avion

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 12:01 | Politikë
Berisha: Udhëtimi për në OKB, më i kushtueshmi!  Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza se udhëtimi i kreut të qeverisë, Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj në Nju-Jork do të jetë më i kushtueshmi.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se në OKB do të shkojë një delegacion me 35 persona, që sipas tij, është krejtësisht e pazakontë. Ai shtoi se kryeministri kishte refuzuar që delegacioni i tij dhe Presidentit të udhëtonin në të njëjtin avion.

“Mos harroni se udhëtimi për në OKB i Edi Ramës dhe presidentit të vendit, do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti.

35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju-Jork. Një numër i tillë i madh është më i pazakonti dhe do të thotë, po të keni parasysh se Edi Rama refuzoi të pranojë në Ismailin e tij, delegacionin e kryetarit të shtetit, do të thotë një shpenzim gjer në gjysmë milionë euro nga buxheti i qytetarëve. Po ky është vetëm njëri aspekt. Vjedhjet e tyre janë të përditshme dhe të pafundme”, tha Berisha.

Në shtator, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama do të udhëtojnë drejt SHBA-së për të marrë pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria do të kryesojë për së dyti Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos