
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027.
Federata Shqiptare e Futbollit është pjesë e kësaj gare të rëndësishme për të cilën ka dorëzuar aplikimet për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Pjesë e kësaj gare janë dhe Federata nga vende të rëndësishme europiane.
Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Për kompeticionet që ka aplikuar Federata Shqiptare e Futbollit do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, duke sjellë në vendin tonë interes të madh mediash, tifozësh dhe sigurisht skuadra të mëdha që do ta kthenim vendin tonë për një muaj në epiqendër të lëvizjes futbollistike europiane. (A2 Televizion)