Serbia vijon të shkelë marrëveshjen e normalizimit me Kosovën. Këtë herë jo vetëm para syve të liderëve të Bashkimit Europian, por të mbarë botës. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, njoftoi se bashkë me presidentin Aleksandër Vuçiç, po takohen me homologë të ndryshëm për të siguruar, siç tha ai, që Kosova të mos pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Sigurisht që pozicioni ynë do të jetë më i mirë sepse jemi të sigurt që kemi një shumicë solide në Kombet e Bashkuara që Kosova të mos pranohet në Oorganizatë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Çdo gjë tjetër është një çështje e diskutimeve dhe përpjekjeve të mëtejshme që bashkësia ndërkombëtare, së paku pjesa që e ka njohur Kosovën, të mos jetë shurdhmmece kur është fjala për problemet që shkakton Kurti”, tha Daçiç.
Në të njëjtën frymë edhe Vuçiç, i cili me anë të një postimi në instagram pretendoi se do të vazhdojë luftën për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor. Presidenti serb tha më tej se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, tentoi të tregonte fajtorin për dështimin e takimit të fundit të dialogut, por sipas tij, u pengua nga 9 shtete që njohin Kosovën, përfaqësuesit e të cilëve kërkuan një qëndrim të balancuar në deklaratën e bllokut. Duke folur për mediat ruse në Nju Jork, kritikoi fjalimin e presidentit amerikan, Joe Biden, veçanërisht pjesën për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe shkeljen e kartës së OKB-së nga Putini.
“Do t’u kujtoj se kur na bombarduan në vitin 1999, ata nuk i respektuan rregulloret e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Por kjo nuk është asgjë e re. Ata që janë të mëdhenj lejohen të bëjnë çdo gjë, ne që jemi të vegjël e kuptojmë më mirë që jemi të vegjël dhe nuk mund të bëjmë shumë”, tha Vuçiç.
Vuçiç shtoi se Serbia do të rezistojë për aq kohë sa të mundet pa i vendosur sanksione Rusisë. Gjithashtu pretendoi se do të ballafaqohet me shumë presion dhe leksione për vendosjen e masave ndëshkuese. (A2 Televizion)
