“Asociacioni dhe njohja, çelësi i dialogut”, Konjufca mbron Kurtin: Lajçaku është anuar nga Serbia

Nga A2 CNN
20 Shtator 2023, 13:35 | Kosova
“Asociacioni dhe njohja, çelësi i dialogut”, Konjufca

“Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim”.

Kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca, konfirmoi se është përgjegjësi e Kosovës që të gjejë një mënyrë për formimin asociacionit të komunave me shumicë serbe në përputhje me kushtetutën e saj dhe pa cenuar rendin juridik. Ai mbrojti qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti, duke nënvizuar se ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, po tregohet i papërgjegjshëm në punën e tij.

“Ne e kemi marr një mandat goxha të fuqishëm politik me disa premtime tjera. Cilat kanë qenë ato premtime, ato kanë qenë se Kosova nuk mund të ecë as një hap përpara në procesin e dialogut nëse nuk e ka në horizont njohjen nga ana e Serbisë. Pikërisht duke pas këtë parasysh, ekspertët që e kanë përpiluar marrëveshjen e Ohrit e kanë zgjeruar ombrellën. Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja dhe asociacioni. Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur do ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon atë dhe thotë që ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE atëherë ne mund të themi që Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia. Mua nuk më duket kjo e drejtpeshuar fare.”

Konjufca shtoi se deklarata e Kurtit në drejtim të Lajçakut nuk ishin akuza, por konstatim për mënyrën e gabuar të punës së tij me pozicionin e qartë në krahun e Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, reagoi lidhur me këtë duke thënë se deklaratat e Kurtit janë të pabaza, ndërsa konfirmoi mbështetjen e bllokut për dyshen ndërmjetësuese, Borrell dhe Lajçak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos