Detaje nga plagosja e efektivit të “Shqiponjave” në Tiranë, autori “terrorizoi” Kinostudion

Nga A2 CNN
20 Shtator 2023, 18:23 | Kronikë
Detaje nga plagosja e efektivit të “Shqiponjave” në

Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen e rëndë që u shënua mbrëmjen e sotme në rrugën “Hysen Xhurra”, ku një efektiv policie i repartit “Shqiponja” është plagosur me armë zjarri.

Gazetari i A2CNN, Jul Kasapi duke raportuar nga zona e Kinostudios, pikat hyrëse dhe dalëse të së cilës janë bllokuar nga policia, sqaroi se autori i ngjarjes në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit ka qëlluar dy herë në drejtim të dy efektivëve të “Shqiponjave” që e ndiqnin me motor.

Dy efektivë të Shqiponjave ishin vënë në ndjekje të një personi të armatosur. Efektivi i identifikuar si Edlir Alleshi është qëlluar dy herë nga personi i dyshuar dhe ka marrë dy plumba në bark. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës.

Po ashtu mësohet se ka qenë një telefonatë në sallën informative të policisë së Tiranë, ku denoncohej se një person rreth të 30-ve që mbante në kokë një kapele të zezë po lëvizte i armatosur në zonën e Kinostudio, ajo që ka vënë në lëvizje autoritetet.

Efektivët e Shqiponjave i janë vënë në ndjekje pasi e kanë pikasur, por në ndjekje e sipër i dyshuari ka qëlluar me armë në drejtim të dy efektivëve. Ngjarja ka ndodhur pranë një bari, që ka kamera sigurie. Janë bllokuar të gjitha pikat dalëse të zonës së Kinostudios. Në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja arme.

Sipas gazetarit, ka qenë pronari i lokalit pranë të cilit ka ndodhur ngjarja ai që ka transportuar efektivin në spital dhe ky i fundit është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos