Kur kishte prodhime bujqësore, nuk kishte çmime dhe tani që ka çmime më të mira të prodhimeve bujqësore, nuk kanë prodhim.
Ky është halli i atyre pak fermerëve që kanë mbetur në zonën e Novoselës në Vlorë. Dikur një hambar i vërtetë, veçanërisht për prodhimin e rrushit dhe ullinjve, sot tokat e Novoselës, po kthehen në djerrë dhe me vreshta për të cilat nuk kujdeset askush.
Fermerët tregojnë problematikat që hasin dhe të ardhmen e zymtë të prodhimeve bujqësore. “Nuk ka punëtor, nuk ka prodhim sepse koha nuk ka mbajtur, pesticidet nuk janë të sakta. Më e keqja, nuk ka fuqi punëtore, këtu ka mbetur vetëm mosha e tretë. Këtë vit ka pasur treg, por vreshtat janë përgjysmuar”, shprehen fermerët.
Mosadministrimi si duhet ndër vite, si dhe mungesa e orientimit apo përkrahjes nga shteti, ka bërë që sot fermerët e dikurshëm të punojnë si roje me paga minimale mujore, ndërsa në depot e tyre kanë ende prodhimet e dy apo tre viteve më pare të pashitura.
E ardhmja e kësaj zone pritet të jetë akoma më e zymtë sa i takon prodhimeve bujqësore që ndryshe mund të përkthehet edhe në të ardhura më të pakta për banorët e zonës. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   