Kush janë terroristët e neutralizuar në Kosovë? Ahmeti: Të stërvitur në Rashkë, mbështeten nga Beogradi

Nga A2 CNN
25 Shtator 2023, 19:13 | Kosova
Kush janë terroristët e neutralizuar në Kosovë? Ahmeti:

Kosova sot ishte në zi dhe i dha lamtumirën rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit, mëngjesin e së dielës nga një grup i armatosur serb në veri të vendit. Situata u vu nën kontroll ditën e djeshme, ndërsa qeveria e Prishtinës njoftoi se tre nga sulmuesit u vranë, një i katërt u njoftua sot. Ndërsa 6 u arrestuan, dy prej të cilëve të plagosur që ishin me uniforma dhe të armatosur. 6 të tjerë të plagosur kanë marrë ndihmë mjekësore në Novi Sad të Serbisë.

Sulmuesit e armatosur ishin vendosur në Manastir dhe përreth tij në fshatin Banjskë. Ata shkëmbyen zjarr me 3 njësi të policisë së Kosovës që shkuan në vendin e ngjarjes pas vrasjes se Bunjakut.

Për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe cili ishte grupi që sulmoi policinë e Kosovës, foli në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës.

“Situata është e qetë dhe nën kontroll të policisë së Republikës së Kosovës. Operacioni vazhdon në kuptimin e terroristëve të tjerë dhe gjetjen e armatimeve të shumta. Ajo që u paraqit sot nga policia e Kosovës ishte vetëm armatimi që është gjetur dje, ndërsa ditën e sotme është gjetur sasi tjetër e madhe armatimesh, si dhe është gjetur edhe trupi i terroristit të katërt.

Ky ishte një grup kriminal, terrorist, i organizuar mirë. Ata kishin plane të përgatitura prej kohësh. Një pjesë e të arrestuarve dhe të vrarëve ishin pjesë e të ashtuquajturës Mbrojtja Civile, organizatë e shpallur terroriste nga qeveria e Kosovës. Kjo organizatë ka mbështetje politike, logjistike, financiare dhe të çfarëdolloji nga regjimi i Vuçiçit. Ajo që ndodhi të dielën në Kosovë ishte një sulm nga shteti i Serbisë brenda Republikës së Kosovës”, tha Ahmeti.

Ndërkohë, Vuçiç e quajti ngjarjen një revoltë të serbëve brenda Kosovës. “Ky nuk është sulmi i parë i organizuar nga këto struktura. Rast i ngjashëm ishte edhe ndaj forcave të NATO-s, por edhe ndaj qytetarëve serbë kur konvertonin targat. Nuk kemi të bëjmë me një kryengritje të qytetarëve, por me grupe të organizuara nga shteti i Serbisë, të cilët marrin trajnime në jug të Serbisë, në bazat e Rashkës”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos