
Aksi nacional rrugor Levan-Tepelenë ka ndarë në mes tokat e fermerëve të zonës, të cilët janë në vështirësi dhe njëkohësisht në rrezik të përditshëm të kalojnë këtë aks rrugor.
Në mungesë të mbikalimeve apo nënkalimeve, ata janë të detyruar disa herë në ditë të kalojnë rrugën me bagëti dhe prodhime bujqësore, ndërsa tregojnë që jo në pak raste nuk kanë munguar as aksidentet me pasoja fatale.
Edhe ato dy nënkalime që janë mund të përdoren vetëm gjatë verës pasi nga vjeshta deri në fund të pranverës përmbyten.
Përgjatë këtij aksi rrugor, janë 25 fshatra të Fierit dhe Mallakastrës, banorët e të cilëve ushtrojnë aktivitetin bujqësor dhe e kanë më se të domosdoshëm kalimin nga njëra anë e rrugës në tjetrën jo vetëm në këmbë dhe me mjete bujqësore, por edhe me mjete bujqësore e bagëti. (A2 Televizion)