
Deputetet e opozitës, Zheni Gjergji dhe Albana Vokshi, kanë dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë. Bëhet fjalë për kontratën e shërbimeve laboratorike të nënshkruar në 10 prill të 2019-s, kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës të firmosur në 2016-n, kontratën e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale të firmosur në 2015-n dhe kontratën e Check-up të firmosur në janar të 2015-s.
Sipas tyre, 4 kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 45.5 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë.
“Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK kanë treguar për shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave. Pikërisht, me qëllim shqyrtimin e këtyre praktikave, si dhe vlerësimin e marrjes së masave të nevojshme, përfshirë ndërhyrjet ligjore, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë”, njofton opozita. (A2 Televizion)