
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka kërkuar nga SPAK informacione për kallëzimin e bërë prej tij në Janar të vitit 2023 për çështjen e ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, i cili pranoi të gjitha akuzat për dosjen shqiptare para gjykatës në SHBA.
Në një letër drejtuar strukturës së posaçme, Bardhi, teksa informon prokurorët për zhvillimet në SHBA, kërkon prej tyre njohjen me fazën e hetimit të çështjes McGonigal në Shqipëri, por edhe nëse po hetohet Kryeministri Edi Rama.
“Ndodhur përpara dyshimeve të arsyeshme përkryerjen nga shtetasi Edi Rama të veprave penale të kallëzuara nga ana jonë, në zbatim të nenit 110 të K.Pr.Penale, kërkojmë që të vihemi në dijeni në lidhje me ecurinë e hetimit të kësaj çështjeje pranë Prokurorisë që ju drejtoni, duke ruajtur dhe pa cenuar sekretin hetimor” , thuhet në letrën e kreut të grupit të PD. (A2 Televizion)