“Patronazhistët dhe super-ministrat ishin me torbën plot”, humbi zgjedhjet për Bashkinë Kukës, vjen reagimi i parë i Emri Vatës

Nga A2 CNN
25 Shtator 2023, 14:53 | Politikë
“Patronazhistët dhe super-ministrat ishin me torbën plot”,

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata ka reaguar për herë të parë pas humbjes së zgjedhjeve për kreun e ri të Bashkisë së Kukësit, zgjedhje këto të mbajtura pas shkakrimit të Safet Gjicit, i cili ishte pjesë e një skandali seksual në zyrën e tij.

Të dashur miq, të dashur bashkëpunëtorë, të dashur demokratë, të dashur kuksianë!

Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime.

Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës.

Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës.

Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.

Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë.

Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes.

Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira.

Uroj që vota e çdo qytetari Kuksian , të mos shpërdorohet.

Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.

Miqësisht,

Emri VATA

Vata kandidonte në këto zgjedhje përballë Albert Halilaj i Partisë Socialiste, i cili në një deklaratë për mediat pas fitores, u ka premtuar qytetarëve që do t’i mbështesë për të gjitha problematikat që kanë pasur këto 30 vite dhe do që mund të pasojnë.

Ju premtoj që do të jem krah tyre për t’i mbështetur për të gjitha hallet, problematikat gjatë këtyre 30 viteve. Unë jam djalë i Kukësit, do t’i përfaqësoj nëpërmjet punës. Qytetarët e Kukësit treguan që kanë vlera, nuk patën asnjë incident. I falënderoj, të majtë e të djathtë, njerëzit pa parti. Kuksianët e dinë të vlerësojnë djalin e zonës, djalin që di hallet e tyre.

Kujtojmë se teksa numërohen votat në dy kutitë e fundit, socialistët kanë nisur festën. Albert Halilaj ka një diferencë prej më shumë se 4000 votash ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, edhe pse pjesëmarrja këto zgjedhje ishte më e ulët se më 14 maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos