
Socialistët kanë festuar në Kukës fitoren e bashkisë në zgjedhjet e parakohshme vendore që u zhvilluan pas arrestimit të Safet Gjicit.
Kandidati Albert Halilaj është ngritur peshë nga simpatizantët socialistë dhe është përshëndetur me brohoritma. Më pas, ai dhe i dërguari i Partisë Socialiste për zgjedhjet në Kukës, Pandeli Majko, kanë pozuar me flamurin “Autochthonous”.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Halilaj siguroi 13 025 vota ose 63.67% të votave ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, arriti të sigurojë vetëm 7431 vota, ose 36.33%.
Partia Demokratike zyrtare nuk paraqiti asnjë kandidat duke bërë unifikim të votave të opozitës, por kjo nuk mjaftoi, pasi Halilaj fitoi me mbi 4 mijë vota diferencë kundrejt kandidatit të opozitës, Emri Vata.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte me e ulët se më 14 maj, rreth 7% më pak, por nuk pati asnjë problem apo incident të shënuar.
Kur numërimi nuk kishte përfunduar ende, kryeministri Rama e quajti fitore shembullore atë të ish-prefektit të qarkut, Halilaj. “Flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”, tha Rama.