Makthi ‘i padukshëm’ i Putin, Kievi ekspozon dronin e ri nënujor që mban 450 kg eksploziv

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 17:16 | Bota
Makthi ‘i padukshëm’ i Putin, Kievi ekspozon dronin e ri

Një dron i ri kamikaz, 6 metër i gjatë dhe i aftë të mbajë 450 kg eksploziv, është arma më e re që i shtohet arsenalit me të cilin ukrainasit po luftojnë ushtrinë ruse në Detin e Zi.

Droni nënujor i Kievit është pagëzuar me emrin “Marichka”. Siluri i sapo prodhuar do të lëshohet në anijet luftarake dhe nëndetëset ruse, në një kohë kur Ukraina vazhdon përpjekjet e saj për të zmbrapsur marinën ruse.

Ai është projektuar nga vullnetarët e Ammo Ukraine, e cila krenohet me padukshmërinë e dronit nga sistemet e radarit të Kremlinit.

Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë marinën ukrainase duke testuar armën e re detare që kushton mbi 400 mijë euro, përpara se të përdoret në luftë.

Droni ka “një sistem unik komunikimi me operatorin, i cili bën të mundur kontrollin e zhytësit në distanca dhe thellësi të mëdha“.

Ai është një version më i përditësuar i dronëve “Sea Baby” të Ukrainës, që janë përdorur për të hedhur në erë urën e Krimesë dhe anijet e tjera luftarake të Rusisë.

Me dronin “Marichka” pritet që Kievi të synojë sërish që të godasë urën e Krimesë për të ndërprerë furnizimet ruse në Ukrainë.

Për të forcuar arsenalin e saj përballë raketave superiore me rreze të gjatë veprimi të Rusisë, Ukraina ka marrë përsipër të prodhojë dronë DIY, të cilët kanë rezultuaqr të jenë një nga armët më vdekjeprurëse për ushtrinë e Putinit.

Një ushtri vullnetarësh ndërton deri në 90% të dronëve ushtarakë të Ukrainës në garazhe dhe magazina të vendosura në të gjithë vendin, me rreth 200 kompani të angazhuara në këtë proces.

Shumica e dronëve përdoren mbi tokë, të vendosur nga ushtarë që mund t’i fluturojnë me saktësi ekstreme për të hedhur granata në pozicionet ruse – duke shkatërruar llogore dhe bunkerë – ose për të përplasur dronët e ngarkuar me eksploziv të Kremlinit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos