“Të mbrohet territori i Kosovës”, Rama i zhgënjyer nga Beogradi, apel Prishtinës dhe ndërkombëtarëve

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 14:50 | Kosova
“Të mbrohet territori i Kosovës”, Rama i zhgënjyer

Edi Rama vijon të mos mbajë krah në situatën e krijuar së fundmi në Kosovë pas sulmit të armatosur që i kushtoi jetën një efektivi të Policisë.

Me një pozicion prej asnjëanësi, Kryeministri i Shqipërisë kishte nga një kërkesë për secilën prej tri palëve, Beogradin, Prishtinën dhe ndërkombëtarët. E nis nga Serbia, duke e quajtur zinë e shpallur për terroristët e vrarë, si sinjalin më të keq që mund t’i dërgohej komunitetit euroatlantik.

“Ndërkohë që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zie që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!”

Sipas Ramës, edhe ndërkombëtarët duhet të zgjohen, pasi puna e bërë deri tani nuk ka çuar në rezultatin e pritshëm. Jo vetëm në nivel diplomatik, por ai kërkon shtim të trupave të huaj për sigurinë e territorit e Kosovës.

“Ky është momenti kur BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën!”

Pas zhgënjimit nga Serbia, apelit për SHBA-në dhe BE-në, Edi Rama kishte edhe një mesazh për Prishtinën. Rrugët pa partnerët, thotë Rama, çojnë në përfundime të dhimbshme.

“Edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti! Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme.”

Të dielën, Policia e Kosovës u sulmua në veri nga një grup kriminal i armatosur, ku si pasojë e sulmit, u vra polici Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, u vranë edhe tre terroristë, ndërsa u sekuestrua sasi e madhe armësh. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos