
Pas shtyrjes së derbit më 19 tetor, Partizani ka gjetur kohë për pak pushim në mesjavë, megjithatë të kuqtë kanë nisur të mendojnë që tani për ndeshjen e së dielës, përballë Skënderbeut.
Ekipi vijon punën intensivisht dhe objektiv janë vetëm 3 pikët. Kjo pauzë i ka shërbyer dhe Kristjan Mbas, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer në fushë: “Ne kishim nevojë të pushonim. Shtyrja e derbit erdhi në një moment të duhur për ne, pavarësisht dëshirës sonë dhe gatishmërisë për të luajtur këtë ndeshje. Tani kemi disa ditë më shumë për t’u përgatitur për Skënderbeun, por edhe për derbin, që tashmë është spostuar akoma më shumë. Ne duam ta fitojmë titullin sërish. Ky është objektivi”.
Mba foli dhe për konkurrencën që ka me Bintsuka, i cili po bën mjaft mirë në repartin e sulmit.
“Është diçka shumë e mirë. Mua më pëlqen konkurrenca. Nëse je një futbollist profesionist dhe ke konkurrencë në skuadër, mund të bëhesh akoma më i mirë dhe përmirësohesh çdo ditë”, tha Mba.
Ndeshja e radhës për Partizanin është ndaj Skënderbeut në Korçë, të dielën, në orën 16:00. (A2 Televizion)