
Në vijim të vizitës së tij në Itali, kryeministri Edi Rama u takua në Romë dhe me homologen Giorgia Meloni, e cila e priti me një ceremoni shtetërore në pallatin Chigi.
Të dy liderët, pas takimit kokë më kokë, zhvilluan dhe një tryezë të përbashkët mes dy delegacioneve, ku u rikonfirmua edhe njëherë miqësia tradicionale Shqipëri – Itali dhe vullneti për ta forcuar më tej atë.
“Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tone.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi, i cili këtë vit shënoi një rekord të vërtetë rritjeje, duke u kthyer në një nga fushat më atraktive për investime”, shkruhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Mes të tjerash, kryeministrja Meloni theksoi se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin e integrimit të Shqipërisë në të gjitha etapat e tij. (A2 Televizion)