Disfata e PD në Kukës, Nesturi: Opozita vegjeton kot, nuk ka puls e as frymë!

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 19:44 | Politikë
Disfata e PD në Kukës, Nesturi: Opozita vegjeton kot, nuk ka puls e as

Diplomati Plator Nesturi në emisionin “Debat” nga Alba Alishani në A2CNN deklaroi se sheh mungesën e frymës si faktorin kryesor që ka penalizuar opozitën në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kukësit, ku Albert Halilaj i PS fitoi përballë Emri Vatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Diferenca e thellë prej mbi 5 mijë votash, që përbën rekord për socialistët në ish-bastionin e së djathtës, sipas Nesturit tregon që opozita vetëm vegjeton dhe frymon, pa kuptuar rolin e saj në shoqëri.

Për mua problemi është mungesa e frymës së opozitës në përgjithësi. Zgjedhjet në Kukës mund të ishin testi për të parë nëse vërteta ka puls opozita apo jo. Por opozita tregoi që është një trup vegjetativ që vetëm frymon por nuk është në operacion pune për të luajtur rolin e vet. Ky është një lajm shumë i keq. Nuk është problem vetëm Kukësi. Unë ngre pyetjen se çfarë presim nga kjo opozitës. Do presim që të frymëzojë nesër Berisha, apo të ringrihet Basha edhe njëherë nesër. Mua më duket se gjithçka nuk është në rrugën e  duhur dhe s’ka as elementët për një lloj pozitivizmi”, u shpreh Nesturi për “Debati”, në A2CNN.

Më tej, Nesturi vuri gishtin në plagën e PD-së, e cila e përçarë në dy fraksione ka dështuar në çdo proces zgjedhor nga 2013 përballë Partisë Socialiste.

Nesturi tha se në të dy grupet e demokratëve, deputetët aktualë nuk mendojnë bashkimin, e aq më tepër llogaridhënien për humbjen apo formulën për të bindur shqiptarët që ti votojnë, por po bëjnë llogaritë për mandatin personal në zgjedhjet e 2025.

Kur je në rënie të lirë askush nuk të bashkohet për rënien në humnerë. Ndaj ishin pesë mijë vota më pak në një bastion si Kukësi. Në dy fraksionet e PD nuk e ka mendjen njeri as te bashkimi më, por thjesht te evidentimi i njërës palë apo tjetrës. Duket sikur po bëjnë llogari të tjera. Askush nuk ka për t’i kërkuar llogari as Berishës, as Bashës po të ishte për humbjen. Por duket se po bëjnë llogaritë e elektoratit, që me këto shifra që janë, a arrijnë të sigurojnë nja 30-40 mandate dhe si do ndahen këto mandate. Këtu loja nuk po bëhet për të ringritur PD, por si do të ndajmë ato thelat e mandateve nesër. Kjo nuk frymëzon për të fituar diçka, por është të kapësh ça të kapësh”, tha diplomati për “Debati”, në A2CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos