Raporti i ODIHR, ekspertët: Kemi bërë hapa pas, shans i humbur për në BE

Nga A2 CNN
2 Tetor 2023, 13:42 | Politikë
Raporti i ODIHR, ekspertët: Kemi bërë hapa pas, shans i humbur

Zgjedhjet vendore të 14 majit nuk ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Faktet e evidentuara në raportin e monitorimit të OSBE-ODIHR për ekspertin e çështjeve  Zgjedhore, Premto Gogo, janë dëshmi se ky proces elektoral nuk shënoi progres por regres. 

“Raporti në gjetjet e veta dhe në rekomandimet është i pritshëm, madje mund të thuhet se nga ana e misionit të ODIHR ata janë me bonsens me atë se çfarë është parë. Jo vetëm nuk kemi bërë hapa përpara, por kemi bërë shumë hapa mbrapa”, thotë Premto Gogo.

Politologu Afrim Krasniqi e sheh këtë proces elektoral në raport me integrimin në Bashkimin Europian, ku në Ditarin e A2, e konsideroi këtë proces si një shans të humbur.

“Zgjedhjet u bënë një vit pasi ne hapëm negociatat me BE dhe ishte testi i parë për të parë nëse kemi zënë mend nga e kaluara dhe për të bërë zgjedhje të krahasueshme me BE. Mendoj se këto zgjedhje janë shans i humbur dhe ky raport tregon që janë shans i humbur”, u shpreh Krasniqi.  Raporti i ODIHR evidenton një sërë problematikash, që nga shitblerja e votës e deri tek intimidimi i zgjedhësve, por për organizatën KRIIK më shqetësuese është përfshirja e punonjësve publikë në zgjedhje. 

“Ajo që parashikon raporti dhe godet fort është përdorimi në mënyrë masive i burimeve shtetërore në të gjitha nivelet në mënyrë kapilare. Kjo e bën defacto inefiçent çfarëdo lloj mekanizmi, çfarëdo lloj sistemi”, tha Gogo.

Si zgjidhje e këtyre problemeve ndërkombëtarët e ODIHR kanë dhënë disa rekomandime për reformimin e kodit zgjedhor, por a mjafton koha që parlamentaret e 2025 të mos kenë të njëjtin fat?

“Shqipëria ka nevojë për një operacion të thellë në sistemin tonë përfaqësues në sistemin tonë politik”, theksoi Krasniqi.

“Dyshoj fort se gjashtë muajshi i mbetur në dispozicion për një reformë zgjedhore do të mund të sigurojë këto standarde për zgjedhjet e 2025”, tha Gogo. 

Raporti i ODIHR pati lexime të ndryshe nga politika e Tiranës ku opozita e konsideroi si dëshmues të një procesi elektoral të manipuluar ndërsa maxhoranca si vlerësim të zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos