Universitetet në rrethe, pavarësisht ndihmës së dhënë nga qeveria me programet prioritare dhe bursat për studentët që do të regjistrohen në këto programe të barasvlefshme me pagën minimale, sërish janë në kushte mbijetese sa i takon vijueshmërisë së këtyre programeve.
Në universitetin e Korçës këtë vit akademik janë regjistruar vetëm 30 studentë të rinj më shumë se viti kaluar. Ndërsa për programet me pak studentë rektori shpreson t’i bashkojë për të siguruar vijueshmërinë e tyre.
Për rektorin e universitetit të Gjirokastrës, regjistrimet janë pranë përmbushjes së numrave minimal për të garantuar vijueshmërinë e programeve priroritare dhe kjo shikohet si pozitive.
Ndërsa në Shkodër drejtuesit e universitetit kanë shpresë se projektet e qeverise për programet prioritare do të japin rezultate, të cilat duhen pritur deri në përfundim të fazës së tretë.
Rektori i Universitetit të Vlorës, ndryshe nga kolegët e tij, mendon se prioritetet e ndjekjes së programeve të larta studimore i përcakton tregu i punës dhe jo universitetet.
Zëvendës rektori i Universitetit te Elbasanit përgëzon vendimin e qeverisë për degët prioritare edhe pse këtë vit ka një rrudhje të regjistrimeve në këto degë, por sipas tij kjo VKM nuk ka të përcaktuar vlerën financiarë të mbështetjes.
18 tetori është afati i fundit i regjistrimeve në universitete dhe ku do të ketë edhe një panoramë më të qartë për frekuentimin e programeve në vitin e ri akademik. (A2 Televizion)
