Shqipërisë po i shterojnë burimet e rritjes ekonomike. E treguan edhe të dhënat nga Instituti i Statistikave mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në 3-mujorin e dytë. Më shumë se 66 për qind e zgjerimit të ekonomisë edhe nga ndërtimi dhe shit-blerja e pronave, ndërsa degët e tjera si industria e bujqësia prodhuan edhe më pak para’ se një vit më parë. Prej kohësh po flitet pë rnjë model të ri ekonomik, por a është mazhoranca në pikën e pranimit të kësaj nevoje?
“Përveç turizmit i cili po jep një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, bashkë me ndërtimin dhe tregtinë ne na duhet që edhe sektorë të tjerë të kontribuojnë në rritjen ekonomike. Pra përgjigja është po. Na duhen edhe burime të tjera ku të mbështetet ekonomia”, shprehet kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Eduart Shalsi.
Në një kohë që shtetet e tjera po nxitojnë të gjejnë modele të reja zhvillimi, ndonëse me ritme më të ngadalta, edhe Shqipëria po bën përpjekje për të shkuar te digjitalja.
“Transformimi digjital është ai që na duhet. Ato mund të ruajnë një rol si në bujqësi apo turizëm e diku tjetër duke shtuar vlerë duke shtuar vlerë”, thekson Shalsi.
Bazuar edhe te rekomandimet e Bankës Botërore apo Komisionit Europian, në Tiranë u zhvillua Samiti i Investimeve për ti dhënë një tjetër hov rrugës drejt një modeli më të përparuar.
“Qëllimi është që sipërmarrësit e vegjël të bashkëveprojnë me ata të mëdhenj për t’u kthyer në faktorë së bashku”, shprehet sipërmarrësja në fushën e inovacionit Fabiola Duro.
Po për aktorë të tregut, këto pritshmëri nuk mund të arrihen pa ndihmën e institucioneve financiare në vend.
“Është jetike mbështetja financiare, veçanërisht për aktorët e vegjël, por edhe ata të mesëm që duan të zgjerohen”, thekson Duro.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, për të krijuar një model të ri ekonomik, Shqipëria duhet të investojë te të rinjtë, me qëllim krijimin e burimeve njerëzore të përshtatshme me sistemin e avancuar financiar. (A2 Televizion)
