Konsensusi nuk është tipar dallues i politikës në Tiranë, portë paktën për Kosovën, mazhoranca dhe opozita po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët. Në Konferencën e Kryetarëve, PS e PD bënë hapin e parë, duke dakordësuar datën e zhvillimit të një seancë të posaçme në Kuvend, teksa do të vijojë puna që dy draftet e paraqitura nga palët, të shkrihen në një rezolutë të miratuar unanimisht.
Gazment Bardhi – Kreu i Grupit Parlamentar, PD: “Është rënë dakord me propozimin tonë që të kemi një seancë të posaçme dedikuar Kosovës në datën 12 Tetor. Dhe koha e debatit të jetë debatit të jetë 5 orë që të kenë mundësi të gjitha grupet parlamentare për të parashtruar qëndrimet e veta”
Bledi Çuçi – Kreu i Grupit Parlamentar, PS: “Ne kemi arritur në një konsensus që të bashkojmë qëndrimet tona në rezultat që kemi paraqitur dhe të dalim me një rezolutë të përbashkët për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe të lëmë një seancë ditën e enjte për të diskutuar për këto rezuluta”.
Demokratët propozojnë një rezolutë gati identike me atë të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, ndërsa socialistët mbështesin hartimin e statusit të asociacionit nga amerikanët. Ideja fillestare e Ramës që KFOR të marrë kontrollin e Veriut, është tkurrur në një thirrje për të rritur prezencën, duke afruar qëndrimet. Dakordësi duhet gjetur edhe sa i përket hetimeve për sulmin e 24 shtatorit.
Gazment Bardhi – Kreu i Grupit Parlamentar, PD: “Padiskutim që mes qëndrimit të Kosovës që është hetim ndërkombëtar dhe qëndrimit të Serbisë që hetimi të kryhet nga autoritetet serbe, besoj edhe ne dhe PS do të mbështesin qëndrimin e Kosovës. Duhet të ketë një hetim ndërkombëtar”.
Bledi Çuçi – Kreu i Grupit Parlamentar, PS: “Secili duhet të bëjë hetimet e veta, nuk ka vetëm një hetim. Ka hetim që duhet të bëjë Kosova, ka hetim që duhet të bëjë Serbia, sigurisht që ne kemi thënë që dhe ndërkombëtarët duhet të rrisin influencën për të nxjerr përgjegjësinë”.
Dy krerët e grupeve nuk sqaruan fatin e interpelancës me kryeministrin Rama paraqitur nga PD-zyrtare. Bardhi e quajti të rrëzuar kërkesën e grupit të Bashës, ndërsa Çuçi foli për bashkim në të njëjtën seancë.
Gazment Bardhi – Kreu i Grupit Parlamentar, PD: “Interpelanca përthithet nga mocioni me debat, pra interpelanca tashmë konsiderohet e rënë dhe përthithet nga mocioni me debat”.
Bledi Çuçi – Kreu i Grupit Parlamentar, PS: “Ne nuk rrëzuam interpelancë, kemi bashkuar dy kërkesat për rezolutë me interpelancën, siç e parashikon rregullorja në një seancë të vetme”. Palët kanë caktuar kryetaren dhe nënkryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme për të hartuar tekstin e rezolutës së përbashkët. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   