“Votimi antikushtetues”, Bylykbashi: Amendamentet e PS kaluan pa kuorum, precedent i rrezikshëm

Nga A2 CNN
6 Tetor 2023, 14:23 | Politikë
“Votimi antikushtetues”, Bylykbashi: Amendamentet e PS kaluan pa

Mazhoranca me opozitën është në prag të konfliktit të radhës që mund të përfundojë në dyert e Gjykatës Kushtetuese. Procedura e miratimit të ligjit për shtetësinë konsiderohet nga opozita si antikushtetuese pasi disa nga nenet e aktit, të paraqitura nga socialistët, u konsideruan të miratuara ndonëse morën një shumicë të thjeshtë votash, pa arritur pragun e shumicës së cilësuar që kërkonte ligji në fjalë. 

Bëhet fjalë për 4 nga 5 propozime që nuk kaluan përmes diskutimit në komisione parlamentare, por u paraqitën nga PS-ja direkt në seancë plenare. Prej tyre, vetëm njëri mori 90 vota, ndërsa katër të tjerë ranë poshtë pragut të nevojshëm.

“84 votat i kërkon në leximin e parë, në votimin në parim, i kërkon në leximin e dytë pra në votimin nen për nen. Pra çdo presje në një ligj që Kushtetuta e kërkon me 3/5 duhet të miratohet me minimumi 84 vota. E kam ngritur atë çështje në seance e përsëris sot, ai ligj është antikushtetues”, tha Bylykbashi. 

Kushtetuta e Shqipërisë, në kapitullin që flet për procesin ligjvënës, përcakton se ligji për shtetësinë kërkon minimalisht 84 vota dhe si çdo nismë tjetër ligjore, duhet të marrë tri miratime, në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Prej tri javësh, demokrati Bylykbashi ngul këmbë se ky detyrim kushtetues nuk është respektuar, gjë që sipas tij përbën edhe një precedent të rrezikshëm parlamentar, nëse do të legjitimohej.

“Cili është rreziku? Nëse i hapim portën kësaj shkelje të paprecedent kushtetuese, ne rrezikojmë që Kodin Zgjedhor kur të sillet këtu, do të ketë nene të Kodit Zgjedhor që do të bëjnë hatanë e që do të miratohen me shumicë të thjeshtë, por jo me 84 vota”, theksoi deputeti demokrat. 

Thirrja e tij, deri tani, është injoruar nga drejtuesja e Parlamentit, ndaj Bylykbashi shpreson që pretendimet e tij juridike t’i shqyrtojë zyra e Presidentit të Republikës, i cili jep ose jo pëlqimin e tij për një ligj para se të hyjë në fuqi. 

“Është e papranueshme që të lejohet kjo nga ky parlament, por Presidenti i Republikës është i pari dhe e përsëris i bëj thirrje Presidentit të Republikës, atë ligj ta kthejë pas për rishqyrtim në parlament”, tha Bylykbashi.

Afati kushtetues është 20 ditë nga data e dërgimit të nismës në Presidencë, çka do të thotë se kreu i shtetit ka ende disa ditë kohë përpara se sa të flasë me dekret apo me heshtje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos