Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor dhe do të shfrytëzohet nga demokratët për t’u treguar liderëve europianë ato që sipas Sali Berishës fshihen nga Edi Rama.
Lideri i Rithemelimit nuk tregoi si do ta bëjë këtë, por burime për A2 CNN bënë me dije se nuk do të jetë i njëjti skenar me 6 dhjetorin e shkuar, kur demokratët organizuan një protestë kundër qeverisë, pikërisht ditën në të cilën Tirana priste liderët e vendeve të BE-së.
“Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij. Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Teksa akuzoi Ramën se po përpiqet që të përçajë opozitën, ish-kryeministri deklaroi se po bëhet analizë e thelluar për rezultatin e 14 majit dhe kërkoi nga të tijtë mobilizim për një stinë protestash.
“Kjo analiza e jona, duhet të ketë qëllim më madhor, motivimin e mbështetësve, anëtarëve, simpatizantëve tanë për fillimin sa më parë të një beteje të qëndrueshme, të një lëvizje të fuqishme popullore, që duhet të ketë synimin më madhor, largimin e Edi Ramës nga pushteti”, shtoi ish-kryeministri.
Para se të mblidhte Kryesinë, Berisha publikoi një video që sipas tij tregon atentatin e dështuar ndaj ish-kreut të Bashkisë Shëngjin, Salvator Kaçaj, para e zgjedhjeve. Kreu i Rithemelimit akuzoi direkt Ramën se fshihet pas kësaj ngjarje, ndërsa risolli në vëmendje qëndrimin e kryeministrit që komentonte me humor incidentin duke e quajtur mashtrim. (A2 Televizion)
