
11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri, përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi. Ministria e Jashtme shqiptare ka publikura në Facebook deklaratat e tyre para nisjes për në atdhe dhe dhimbjen që ata kanë për Izraelin në këto ditë të vështira.
“Jetoj në Izrael prej 29 vitesh, kam ardhur nga Shqipëria. Në këto ditë të veçanta që po kalon Izraeli ishte shumë e vështirë për mua dhe me ndihmën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe ambasadën shqiptare në Izrael na bënë të mundur të udhëtojmë drejt Shqipërisë. Unë i falëderoj nga zemra”, thotë një shtetas shqiptare.
“Izraeli po kalon një periudhë shumë të vështirë. Jemi të gjithë shumë të mërzitur të stresuar. Na qan zemra për atë tragjedi që ka ndodhur, ditët e fundit. Po e lëmë Izraelin me dhimbje shumë të madhe në zemër. Duam të falënderojmë ambasadën shqiptare këtu dhe Ministrinë e Jashtme të Shqiëprisë që na ka ndihmuar që të kthehemi në atdhe”, shprehet një tjetër.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre. (A2 Televizion)