
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropës, Igli Hasani ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Izraelit, Galit Peleg. Fokusi i takimit kanë qenë sulmet e Hamasit ndaj Izraelit. Në fjalën e tij, Hasani tha se Shqipëria është krah Izraelit, e ndërsa ka dënuar sulmet të cilat shënjestrojnë civilët e pafajshëm
“Sot, i shpreha personalisht Ambasadores së Izraelit në Shqipëri, znj. Galit Peleg, mbështetjen dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë për Izraelin gjatë këtyre momenteve të tmerrshme. Ne dënojmë fuqimisht sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, të cilat shënjestrojnë civilët e pafajshëm”, thuhet në njoftim.
Konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamas po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha. Ministria e mbrojtjes e shtetit hebre ka urdhëruar ushtrinë që të kryejë një rrethim të plotë të Rripit të Gazës, ndërsa luftimet nuk kanë ndaluar.
Sulmet me raketa të Hamas kundër Izraelit po vazhdojnë, me qindra të tilla të lëshuara në orët e fundit, ndërsa janë dëgjuar shpërthime edhe në Jeruzalem. Izraeli njoftoi rimarrjen e kontrollit mbi komunitetet e tij pranë Gazës, por disa militantë mbeten ende aktivë në zonë. Bilanci i jetëve të humbura është tepër tragjik, nga të dyja palët. (A2 Televizion)