“Është një film horror”, shqiptaro-izraelitja tregon përjetimet nga konflikti i armatosur në Gaza

Nga A2 CNN
10 Tetor 2023, 08:22 | Aktualitet
“Është një film horror”, shqiptaro-izraelitja tregon

Shqiptaro-izraelitja, Iris Matathia, e cila jeton prej 32 vitesh në Izrael tregoi për “Ditari” në A2 CNN përjetimet nga konflikti i armatosur, ku forcat izraelite dhe militantët e Hamasit janë përfshirë që prej mëngjesit të së shtunës.

Ajo tregoi se banon në Carmel, rreth 40 km nga kufiri me Libanin dhe për momentin ndihen të sigurt, pasi ushtria izraelite ka arritur të vendosë nën kontroll territoret pranë rripit të Gazës, që aneksoi për disa orë Hamasi.

Për fat unë jetoj 40 km larg nga kufiri me Libanin. Nga konflikti me Gazën jemi relativisht larg. Me komunitetin shqiptaro-hebre jemi si një familje. I njoh thuajse të gjithë. Me sa di unë janë të gjithë të sigurt. Kemi një në familje që është aktivizuar në ushtri dhe të tjerët janë ok. Unë punoj në Institutin e Statistikave në Jerusalem dhe në kohët që ndodhën ngjarjet e fundit morëm iniciativë nga sindikata, se ata që mund të punojnë nga shtëpia, duhet ta bëjnë këtë. Alarme në Carmel nuk janë dëgjuar. Dëgjojmë zhurmat e avionëve që përgatiten për të ruajtur kufirin verior. Por disi situata është e qetë, e qetë relative le të themi.

Kam përjetuar shumë gjëra në 32 vite, luftëra, bomba. Edhe në Jerusalem. Në 2006 filluan të binin raketa afër shtëpisë, 8 metra larg shtëpisë. Kjo situatë që është krijuar tani është më e rënda që kam jetuar deri sot. Është një film horror, nuk do ta kisha menduar diçka të tillë. Dëgjojmë histori nga familjarë, njerëz që kanë qenë në qytete ku u sulmuan. Tek ajo festa e të rinjve ku u masakruan, ku nuk kishte vetëm izraelitë. Fëmijë të vrarë në sytë e prindërve. Pleq të moshuar, të rrëmbyer. Një masakër, kafshëri e vërtetë. Akt terrorist i pabesueshëm. Në të vërtetë për momentin nuk kemi menduar të lëvizim. Shpresojmë që situata të qetësohet.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos