
Rreth 300 izraelitë ishin akomoduar në një resort në Durrës, për të festuar, mirëpo lufta e nisur e ndali gëzimin e tyre. Pronari i hotelit, Fatos Çerenishti ka thënë për A2 CNN, se sapo kanë mësuar për atë se çfarë po ndodh në atdheun e tyre, kanë nxituar të kthehen.
“U shqetësuan pa masë, gati 70% e të pranishme ikën që dje, ne treguam solidaritetin tonë për ngjarjen, por nuk mund të bënim më shumë, mobilizimi i tyre për të shkuar sa më shpejt, kishin një ngutje për t’u larguar sa më shpejt”, tha Çerenishti.
Ai tregon se pjesa më e madhe tyre ishin 50-60 vjeç, por kishte dhe të rinj. Madje, sipas tij, këta të fundit janë larguar të parët.
“Ishin të moshave të ndryshme, 30% të rinj, pjesa tjetër mbi 50-60 vjeç, të rinjtë u larguan më herët. Ato kanë mbërritur para 8 ditësh, ishin shumë të shqetësuar, asnjë nga të afërm e tyre nuk ishin viktimë, me sa mësuam”, përfundoi Çerenishti.
Konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamas po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha. Bilanci i jetëve të humbura është tepër tragjik, nga të dyja palët. (A2 Televizion)