Është nënshkruar në Prishtinë marrëveshja për formimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore nga SPAK Shqipëri dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Marrëveshja u firmos sot nga Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Z. Altin Dumani dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Z. Blerim Isufaj. Njësia e Përbashkët Hetimore, do të përbëhet nga prokurorë të posaçëm të të dyja prokurorive përkatëse.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Z. Dumani dhe Kryeprokurori i PSRK-së, Z. Isufaj kanë theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë.
Ata u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve. (A2 Televizion)