“Bisedova me Putinin, por s’e takova”, Vuçiç me presidentin kinez: Folëm për Kosovën si kurrë më parë

Nga A2 CNN
17 Tetor 2023, 17:31 | Kosova
“Bisedova me Putinin, por s’e takova”, Vuçiç me

Serbia në Kinë, kërkoi miq për të rivalizuar NATO-n. Këtë e konfirmoi presidenti Aleksandër Vuçiç në Pekin ku po merr pjesë në samitin “Një Brez, një Rrugë”.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit me presidentin e Kinës, Xi Jinping, zhvilloi një bisedë miqësore dhe si asnjëherë më parë lidhur me Kosovën.

Konkretisht, Vuçiç tha se kërkoi “respektimin e normave juridike ndërkombëtare” dhe denoncoi ato që i konsideroi “standarde të dyfishta, mosrespektim të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 12 44.

“Kemi hasur në mirëkuptimin e miqve tanë kinezë. Folëm edhe për gjëra të tjera që janë të nevojshme për ne, si bashkëpunimi në të gjitha fushat e ekonomisë, biznesi, bashkëpunimi ushtarako-teknik.”

Ai shtoi më tej se aktualisht Serbia nuk ka asnjë shtet partner për të marrë armë modern dhe të sofistikuara.

Nga Kina, falenderoi presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për kërcënimin që lëshoi ndaj Kosovës për pezullimin e liberalizimit të vizave, ndërsa tha se kushtin për Serbinë e ka plotësuar dukë dënuar atë që e konsideroi dhunë në Banjskë.

Vuçiç foli edhe për samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që të fuste në kurth homologen Ana Brnabiç për të firmosur një dokument paqeje, që sipas tij do të ishte një njohje e pavarësisë së Kosovës. Presidenti serb guxoi të fliste edhe në emër të një shteti të Afrikës.

Vuçiç tha se nuk beson që Kenia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, teksa njoftoi se ka ftuar presidentin e këtij shteti për ta vizituar Beogradin së shpejti. Ai konfirmoi se zhvilloi një bisedë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Pekin, por refuzoi ta konsideronte një takim dypalësh.

Vuçiç u tha gazetarëve në Kinë se kishte vënë re se Putin po shpërthente nga vetëbesimi pas takimeve me Xi Jinpin dhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos