Zef Rustemi është nga të paktët artizanë të mbetur në Shqipëri. Prej moshës 16-vjeçare ai ka nisur të prodhojë lahuta, çifteli dhe vegla të tjera muzikore, duke gdhendur drurin.
Sot ai është 82 vjeç dhe në punishten e tij të vogël në Bathore, ka me dhjetëra instrumente muzikore. Gjithë jetën thotë se ia ka dedikuar punimit të drurit dhe dëshiron që këtë zanat ta mbajë gjallë sa të mundet.
Më shumë interesin për këto vegla muzikore e kanë emigrantët. Një lahutë Zefi e shet për 10 mijë lekë të reja, teksa vlera maksimale e saj shkon nga tregtarët deri në 50 mijë lekë të reja.
Prodhimi i lahutës është i vështirë ndaj shumë pak artizanë i kanë mbetur Shqipërisë. Të rinjtë nuk e kanë me qejf këtë zanat, ndërsa fëmijët e Zefit kanë zgjedhur emigrimin.
“Lahutën e parë e kam bërë duke parë një lahutë që kishte blerë gjyshi im në Malin e Zi. Prej asaj dite kam prodhuar lahuta, çifteli dhe sharki. Punimi i një lahute më merr 5 ditë kohë, pasi do gdhendur në mënyrën e duhur. Një ditë kohë më merr vetëm punimi i kokës së dhisë në majë të lahutës. Një çifteli do tri ditë punë, ndërsa sharkia kërkon 5 ditë punë. Më përpara lahuta është përdorur për të njoftuar popullin të dali në luftë kur sulmoheshin trojet, e kishin si sinjal. Tani të rinjtë nuk e kanë me qejf lahutën”, thotë Zefi ndër të tjera. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   