Kuvendi i shtatorit, kërkesa e Bashës përballë 3 palë avokatëve të PD-së në gjykatë

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 17:37 | Politikë
Kuvendi i shtatorit, kërkesa e Bashës përballë 3 palë

Gjyqtari i Tiranës Niko Rapi ka në duar shqyrtimin e një kërkesë të bërë nga PD e Lulzim Bashës, për regjistrimin e ndryshimeve statutore të miratuara në Kuvendin Kombëtar të 2 shtatorit 2023.

Basha me anëtarësinë e mbetur u konfirmua kryetar më 29 korrik dhe në këtë Kuvend ndryshoi statutin e partisë, duke i dhënë vetes edhe komptencen e drejtimit te grupit parlamentar në opozitë.

Por, në proces gjyqtari Rrapi ftoi si palë të treta edhe grupimin e Rithemelimit dhe grupimin e Gazment Bardhit në PD.

Të parët u konsideruan si përfaqësues të Grupit të Rithemelimi, ndërsa të dytë si përfaqësues të Këshillit Kombëtar të PD.

 “Pavarësisht faktit që çështja ndodhet në fazën e shqyrtimit gjyqësore dhe është nxjerrë urdhri për kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, gjykata ka urdhëruar thirrjen dhe pjesëmarrjen në gjykim të palëve të treta duke gjykuar se kanë interes nga mënyra e përfundimit të këtij procesi.”

Në këtë formë, në të njëjtën sallë, ishin 6 avokatë, si përfaqësues të tre grupimeve të PD, avokatët Indrit Sefa e Rezart Kthupi për PD-në e Bashës, Çlirim Gjata e Franc Nuri për PD-në e Rithemelimi dhe Marash Logu e Redi Rama si përfaqësues të grupimit të Gazment Bardhit.

Ajo që bashkonte dy grupimet e fundit ishte edhe një kërkesë e bërë në Gjykatë për pezullimin e procesit, derisa Gjykata e Lartë të shprehet në lidhje me rekursin e grupit të Rithemelimi, në lidhje me përkatësinë e “vulës” dhe “logos” së Partisë Demokratike.

Thirrja e grupimeve të tjera të PD hasi në kundërshtinë e avokatëve të PD-së zyrtare, pavarësisht së vallen e proceseve të tilla me palë të tjera e çelën ata të parët, kur ju kundërvunë Kuvendit të Rithemelimit 11dhjetorin e 2021-shit.

“Komisioni i Përkohshëm i rithemelimit s’e pranon që i ka mbaruar mandati.”

Këshilli kombëtar nuk mund të delegojë një kompetencë që nuk e ka,” u shpreh Kupthi.

“Çështje jemi a s’jemi palë e tretë ankimohet në vendimin përfundimtar. Këta hynë si persona të tretë në Apel, precendet i pandodhur. U pranuan si palë e tretë në gjykatën e Apelit dhe thonë këtu tani, për një ndryshim statuti, nuk pranohemi ne si palë e tretë? Në fund të fundit, ne s’po kërkojmë asgjë. Të pezullohet derisa të zgjidhet në gjykatë të lartë,” deklaroi Gjata.

Për t’i dhënë kohë avokatëve të Rithemelimit të saktësonin aktin e përfaqësimit për t’u ligjëruar si palë në proces gjykata shtyu seancën për më 25 tetor.

Me qëllim moszvarritjen e procesit, gjyqtari Rapi i kërkoi palëve të shmangin kërkesat për shtyrje dhe të zbatojnë në kohë detyrat e gjykatës, por edhe kjo seancë u konsiderua si e tillë nga një prej palëve.

“Ka një përpjekje për ta zvarritur nga aleanca e kullave, që janë bërë bashkë, për të zvarritur regjistrimin e PD. Është procedurë normale. Siç jemi mësuar në këto beteja ligjore. PD gjithmonë ka triumfuar, do triumfojë edhe këtë radhë,” u shpreh Sefa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos