Prokuroria e Posaçme vë nën sekuestro 5.500 metra katror truall të Artan Gaçit, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.
Vendimi i SPAK i aprovuar nga Gjykata e Posaçme erdhi pas padisë së bërë nga Alfred Beleri nëpërmjet avokatëve të tij i cili pretendon se Gaçi ka përfituar këtë sipërfaqe toke në fshatin Dhërmi të Himarës nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara nga Jorgo Goro, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës.
Këto veprime sollën edhe reagimin e opozitës. Sali Berisha u pyet për aksion e SPAK, ku u shpreh se nuk mund të ketë një paralelizëm mes kësaj padie me atë që ka vënë nën hetim vetë liderin e rithemelimit, shoqëruar me fjalët se Malltezi ndërtoi në pronën e tij ndërsa Gaçi në tokë publike.
Fjalët e Berishës shërbyen si katalizator që në rrjetet sociale të reagonte vetë Olta Xhacka duke mohuar të gjitha pretendimet e liderit të rithemelimit.
“Nje kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral. Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e nje pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”, shkruan Xhaçka. (A2 Televizion)
