
Në Kosovë, të dielën nisën manifestimet treditore në përkujtim të 25-vjetorit të betejës së Prekazit, e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dyvjeçare mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, që mori fund në qershor të vitit 1999 me ndërhyrjen e NATO-s.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz ku gjatë luftimeve disaditore humbën jetën mbi 50 anëtarë të familjes, përfshirë edhe komandantin legjendar, Adem Jashari. Liderët ne Kosovë e vlerësuan lart sakrificën e të rënëve për liri, ndërsa theksuan se ajo shërben sot si forcë për rrugëtimin e Kosovës drejt synimeve euroatlantike.
“Të gjithë ne bashkërisht të udhëhequr nga kujtimi dhe nderimi për historinë tonë të lavdishme, krahas me aleatët tanë ndërkombëtarë po ndërtojmë, zhvillojmë e forcojmë kapacitetet tona për të qenë plotësisht efektiv dhe kontribuues në mbrojtjen e vlerave që na bashkojnë, paqes, lirisë dhe demokracisë në vend e kudo në botë. Përkrah forcave aleate ishim dhe do të jemi në misione humanitare, misione të paqes e stabilitetit për të ardhmen e afërt të Republikës sonë edhe nën flamurin e NATO-s”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se shteti i Kosovës është jetësim institucional i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri. “Ishte pikërisht kjo luftë ajo që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi e okupatori dhe më pas na solli shtetin e Republikën, por edhe ajo që na krijoi hapësirë për të jetuar në liri dhe na hapi rrugën për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme. Kështu nga një popull i shtypur dhe nga një vend i pushtuar në shekullin e kaluar, në këtë shekull jemi bërë një shoqëri moderne që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, duke ndërtuar një shtet demokratik që çdo ditë shkon duke u bërë më i fortë dhe më përparimtar”, tha Kurti.
Dhjetë vjet pas betejës së Prekazit, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila njihet nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë atë me mbështetjen e Rusisë. (A2 Televizion)