3 dekada pluralizëm, Krasniqi: Kemi humbur zgjedhjet, pronën, elitën politike. Mbipushteti i partive një nga dështimet më të mëdha

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2021, 21:37 | Politikë
3 dekada pluralizëm, Krasniqi: Kemi humbur zgjedhjet, pronën,

Edhe pse e konsideron periudhën e vetme më të mirë të shtetit shqiptar, në lidhje me pluralizmin, Afrim Krasniqi thotë se shqiptarët janë të zhgënjyer, pasi pritshmëritë e tyre ishin të mëdha, ndërkohë që bota ka ndryshuar dhe Shqipëria ka humbur trenin si në aspektin ekonomik, industrial dhe politik. Në Intervistën me Merita Haklajn, ai theksoi se vendi ynë ka humbur mundësinë e krijimit të një baze të shëndoshë që janë zgjedhjet, prona dhe elita politike.

“Kjo është periudha e vetme më e mirë e shtetit shqiptar. Ne nuk kemi patur periudhë tjetër më të mirë. E vetmja periudhë që kishim eksperiment demokratik ishte 1920-1924, e cila nuk solli stabilitet, njerëzit nuk e kuptuan dhe pati konsensus të gjerë për të ndaluar ekzistencën e partive. Pavarësisht se ne jemi zhgënjyer, kjo është periudha më e mirë e shtetit. Ne jemi zhgënjyer se pritshmëritë janë të mëdha, se bota ka ndryshuar dhe ne kemi humbur trenin e zhvillimit jo vetën në aspektin ekonomik, jemi të vonuar në zhvillimin industrial, të vonuar në raportin individ-shtet, në përdorimin e resurseve, turizmin. Kur e zbuluam ne turizmin, bota e kishte industrinë kryesore fitimprurëse dhe kemi humbur mundësinë e një baze të shëndoshë që janë zgjedhjet dhe prona. Jemi vendi i parë në Evropë që nuk kemi zgjidhur çështjen e pronës dhe të zgjedhjeve dhe këto lidhen më njëra-tjetrën. Kemi humbur në elitën politike, nuk kemi ende një elitë të besueshme. Kemi 3 emra që riciklohen në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë t’u përshtatet shoqëria dhe jo ato t’i përshtaten shoqërisë”.

Dhe duke mbetur tek elita politike, Krasniqi thekson se po të ndodhte çdo 4 vjet rrotacion, vendi do të kishte bërë më shumë progres. Sipas tij vitet e para të rrotacionit ka më shumë shpresë, mandatet e dyta kanë qenë mandate skandalesh, ndërsa mandatin e tretë e konsideron kohë të humbur dhe pamundësi për ndryshim. Ai thotë se nuk mundet që një parti të qeverisë vetëm me resurset e saj njerëzore. Këtu sjell shembullin e policëve të mbetur papunë që mund të bie pre e grupeve kriminale, referuar edhe raporteve të fundit për policë të lidhur me krimin.

“Po të ndodhte çdo 4 vjet rrotacion do të kishim bërë shumë progres. Vitet e para pas rrotacionit kanë qenë vite të mira me shpresë. Mandatet e dyta kanë qenë skandalesh, pamundësi për ndryshim. Mandatet e treta janë kohë e humbur në të gjithë kuptimet. Nuk mundet një parti të qeverisë vetëm me resurset e saj njerëzore. Ne ndryshojmë policinë sa herë ndryshojnë ministrat e drejtorët. Ne kemi një polici në punë dhe një në opozitë, të cilët duhet të mbijetojnë mund të bien pre edhe e grupeve kriminale. Ne prandaj kemi numër më të lartë të oficerëve të lidhur me krimin. Rrotacioni i fundit janë të njëjtët që riciklohen. Nuk mund ta mbash policinë me 40 policë të një partie politike, apo administratën me 2 mijë vetë të një partie politike”.

Sipas Krasniqit, mbi pushteti i partive politike ka qenë një nga dështimet tona të mëdha. Ai thotë se edhe në 2021, jemi sistem komunist si organizim, ku byronë e kemi zëvendësuar me me 3-4 byro politike dhe partinë-shtet me 2-3 parti-shtet.

“Në 2021 ne ende e konsiderojmë veten sistem komunist si organizim, ku byronë e kemi zëvendësuar me 3-4 byro politike dhe partinë-shtet me 2-3 parti shtet dhe jemi vendi vend në Europë ku media në çdo aktivitet nuk merr drejtuesit e institucioneve, por kryetarët e partive dhe jo prokurorin zyrtarin e lartë për një çështje. Mbi pushteti i partive politike ka qenë një nga dështimet tona të mëdha.. Qytetari i shikon zgjedhjet si pazar dhe kjo e shkatërron konceptin e demokracisë dhe shanset që ky vend mund të ketë për progres”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos