Policia ka zbardhur detaje të reja në lidhje me një ngjarje të dyshimtë të ndodhur më 3 tetor 2025, në rrugën “Besim Cera”, ku u konstatuan shenja të të shtënave me armë zjarri në murin rrethues të banesës së shtetasit Qazim Kupa, i cili aktualisht jeton jashtë vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti tip “Peugeot”, i cili u gjet i djegur plotësisht një ditë më parë në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve në zonën e Tapizës, dyshohet të jetë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Brenda automjetit u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër fishekësh.
Ngjarja e datës 3 tetor është zbuluar pas hetimeve dhe verifikimeve intensive nga grupi hetimor, ndërsa Policia njofton se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)