Vajza tentoi të vetëflijohej në Korçë, procedohen nëna e saj, zbulohen shkaqet

Nga A2 CNN
5 Tetor 2025, 11:00 | Kronikë

Vajza tentoi të vetëflijohej në Korçë, procedohen

Procedohet penalisht në gjendje të lirë Sonila Dhëmbi, nëna e vajzës 13 vjeçare e cila ditën e djeshme u hodh nga kati i tretë i një pallati në qytetin e Korçës

Burime pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se procedimi penal ka nisur për akuzën e "Fyerje dhe dëmtime të tjera me dashje", pasi nga hetimet ka rezultuar se nëna e të miturës i ka shkaktuar probleme psikologjike të bijës.

13 vjeçarja është dërguar në një qendër në kryeqytet për të marrë mjekim shëndetësor dhe përkujdesje psikologjike ndërsa nuk ka rrezik për jetën.

Pas ngjarjas, e ëma e vajzës ka denoncuar se e bija është hedhur nga lartësia për shkak të bullizimit nga shoqet.

“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdiste vajzat. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, është shprehur nëna e vajzës së mitur.

Doktoresha e shëndetit mendor, Nikolina Bode, ka zbuluar se vajza e cila u hodh pasditen e së shtunës nga kati i tretë, në qytetin e Korçës, thotë se do e bëjë përsëri këtë veprim.

“Nuk ka frikë nga humbja e jetës dhe e përdor si kërcënim që në rast se përsëritet ngjarja, do e bëjë përsëri. Është hera e parë, kemi patur raste suicide te fëmijët ku rasti mbetet i njëjti, edukimi në familje dhe përballja me elementin social. Arsyet familjare janë madhore. Ajo që është problem në këtë situatë është se tentativa e vetëvrasjes, por edhe qëllimi i kësaj tentative dhe vendosmëria pa ndjerë frikë dhe pendesë. E para është vetë nëna, që është në kontakt të afërt me fëmijët e saj, janë dhe tre të tjerë që kanë qenë vëzhgues të kësaj situate dhe ky model është i frikshëm që shikohet nga fëmijët e tjerë. Merren si modele në rrethin e ngushtë familjar, e shikojnë dhe reagojnë pa aspak kritikë duke i dhënë të drejtë motrës së tyre për këtë veprim. Nuk duan të humbin motrën, por i japin të drejtë në lidhje me situatën”, shprehet doktoresha, shkruan A2CNN.

“Vajza thotë se unë e dua lagjen dhe lagjja më do mua, por për konflikte të vogla hyjnë në lojë të mëdhenjtë dhe njoftimi i policisë nga mami bën që të realizoj këtë veprim. Është veprim banal i pazgjidhur si duhet nga të rriturit”, shton doktoreshë Nikolina Bode. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos